
Dy magazina të cilat stamponin veshje të kontrabanduara me logo false janë zbuluar nga Policia e Shtetit.
Magazinat u zbuluan në fshatin Brrar, ku veshje të kontrabanduara, iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Gjatë operacionit u arrestua Luan Haka dhe u shpall në kërkim djali i tij, Lindion Haka, bashkadministratorë të njërës prej magazinave; U arrestuan Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkadministratorë të magazinës tjetër si dhe Arjan Hida, qiradhënës i pronave.
Po ashtu, u shpall në kërkim shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale.
Nga operacioni janë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Top Channel