Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për dy autorët e vrasjes së ish drejtuesit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Ndaj Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon burgim të përjetshëm për për veprat penale ‘Vrasje e punonjësve të policisë së shtetit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria thotë se Bledar Jambelli, një person me rrezikshmëri të madhe shoqërore dhe në ndjekje nga organet hetimore dhe policore prej viteve 2000, në vitin 2012 u hetua nga Shërbimet e Policisë në Drejtorinë Vendore Policisë Vlorë për ngjarje të rënda kriminale konkretisht vrasjes së shtetasve Sh.M. dhe E. Sh. dhe falë punës hetimore në kohën që kjo Drejtori drejtohej nga i ndjeri Artan Cuku u arrestua dhe hetua për këto fakte penale të rënda të citura më sipër, por më pas gjatë procesit gjyqësor doli i pafajshëm dhe u lirua.

Pikërisht për këtë shkak, në vitin 2017 Jambelli në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin Lecin dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin Mikel Shallari të cilit iu premtua pagesë rreth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin.

Kristaq Leci pajisi Mikel Shallarin me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.

Shallari e gjuajti të paktën 8 herë viktimën duke lënë në vendngjarje pa shenja jete. Ky shtetas u ndalua menjëherë dhe pas arrestimit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë. I pandehuri u dënua me dhjetë vjet burgim pasi pranoi akuzën dhe faktin penal, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u pendua për krimin e kryer duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.

Nga hetimet rezultoi se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi deklarim fajtor të tyre dhe dënimin me burgim të përjetshëm.

Top Channel