
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar pas një sulmi ajror rus në qytetin Sumy, të cilin e cilësoi si një akt “të egër” që synonte civilët në rrugë të zakonshme.
Sulmi i së martës rezultoi në vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve.
Në një postim në rrjetin social X (ish-Twitter), Zelensky theksoi se ky është një tjetër shembull i qartë se Moska nuk ka asnjë interes të sinqertë për paqe. Ai akuzoi drejtpërdrejt Kremlinin për terror ndaj popullsisë civile ukrainase.
“Është e qartë: pa presion global – pa veprime vendimtare nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe çdo vend që ka ndikim – Putini nuk do të pranojë as një armëpushim”, shkroi ai.
Presidenti ukrainas shtoi se Rusia vazhdon të godasë qytete dhe fshatra ukrainase çdo ditë, duke shkaktuar viktima të pafajshme dhe duke thelluar nevojën për mbështetje ndërkombëtare.
“Çdo ditë, ne humbasim njerëzit tanë për shkak të terrorit rus. Çdo ditë, Rusia jep arsye të reja për sanksione më të ashpra dhe mbështetje më të fortë për mbrojtjen tonë,” tha Zelensky.
Ai falënderoi të gjithë ata që, siç u shpreh ai, “po promovojnë këtë agjendë jetike: sanksione për agresionin dhe vrasjen e civilëve, si dhe ndihmë për mbrojtjen e jetëve të ukrainasve.”
Ky sulm i fundit shënon një tjetër përshkallëzim të dhunës ruse në zonat civile të Ukrainës, ndërsa lufta po hyn në vitin e saj të tretë.
Top Channel