
Mbrëmja e kaluar solli një atmosferë të bukur në Amfiteatrin Antik të Durrësit, ku muzika mesdhetare u kthye në një urë midis kulturave.
Orkestra e njohur Magna Grecia nga Taranto solli koncertin me titullin “Mesdheu në Muzikë”, si pjesë e Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri.
“Kemi zgjedhur Durrësin për këtë koncert për të theksuar lidhjen historike dhe kulturore që ekziston mes vendeve tona në hapësirën mesdhetare”, tha Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
Instrumentistët e rinj tê orkestrës italiane interpretuan me pasion një repertor të pasur që ndërthuri veprat klasike me ato bashkëkohore.
“Repertori është një homazh për Shqipërinë dhe Italinë. Gjithçka nis me himnet kombëtare të të dy vendeve dhe vijojmë me repertorin operistik italian, me kompozitorë si Rossini, Puccini, Donizzeti etj. Kemi edhe një homazh për kompozitorin e famshëm Ennio Morricone, pa harruar “O sole mio”, tha dirigjenti Piero Romano.
Ky koncert shënoi edhe hapjen zyrtare të sezonit artistik në Durrës, i cili këtë verë premton aktivitete të shumta në hapësira publike dhe monumente historike.
Top Channel