Lee Jae-yung fiton zgjedhjet presidenciale në Korenë e Jugut, bën premtime para popullit: Do të bashkoj kombin dhe të rikthej paqen!

03/06/2025 19:35

Kandidati i opozitës së qendrës së majtë, Lee Jae-myung, është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale në Korenë e Jugut, në një proces votimi që shënoi pjesëmarrjen më të lartë në 28 vitet e fundit.

Me 70% të votave të numëruara, Lee kryeson me 48.53% të votave, sipas të dhënave të Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve. Pjesëmarrja e votuesve arriti në 79.4%, një tregues i lartë i interesit publik pas një periudhe trazirash politike që çuan në zgjedhjet e parakohshme.

Unë e respektoj vendimin e madh të popullit,” deklaroi presidenti i sapozgjedhur, duke folur për mediat përpara nisjes për në Asamblenë Kombëtare. “Do të bëj çmos për të përmbushur përgjegjësinë dhe misionin që më është besuar, në mënyrë që të mos zhgënjej pritjet e popullit,” shtoi ai mes brohorimave të mbështetësve.

Lee theksoi se synimi i tij është bashkimi i kombit, në një kohë kur vendi është thellësisht i ndarë politikisht. “Ne do të sigurohemi që të mos ketë më grushte shteti”, u shpreh ai, duke iu referuar përpjekjes së ish-Presidentit Yun Suk-yeol për të vendosur ligj ushtarak, çka çoi në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Në fjalimin e tij nga Parlamenti, Lee premtoi gjithashtu se do të punojë për një dialog të hapur me Korenë e Veriut, me qëllim ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme: “Ne do të ndërtojmë paqe pa luftë,” tha ai.

Presidenti i sapozgjedhur u zotua se që nga dita e parë e mandatit të tij, prioritet do të jetë rivendosja e ekonomisë dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët.

Rivali i tij në zgjedhje, konservatori Kim Moon-soo, e pranoi humbjen në një deklaratë të shkurtër për shtyp dhe e uroi Lee-n për fitoren, duke apeluar për ruajtjen e stabilitetit institucional në vend.

Top Channel