
Deklaratat e një ish-zyrtari të administratës Biden kanë ndezur reagime të forta në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Sky News, Matt Miller, ish-zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se sipas tij “Izraeli ka kryer krime lufte në Gaza”.
Komentet u bënë gjatë një paraqitjeje në podcastin “Trump 100”, ku Miller u pyet nëse veprimet e Izraelit ndaj palestinezëve përbëjnë gjenocid. “Nuk mendoj se është gjenocid, por mendoj, mendoj se është pa dyshim e vërtetë që Izraeli ka kryer krime lufte,” u shpreh ai.
Reagimi i Hamasit nuk ka vonuar. Në një deklaratë zyrtare, grupi e cilësoi këtë si një “pranim të rëndësishëm që dënon pushtimin dhe ekspozon krimet e tij”. Hamasi shton se kjo tregon se Miller, “nuk ishte i lirë të thoshte të vërtetën gjatë kohës kur ishte në detyrë”, për shkak të nevojës për t’u përmbajtur linjës zyrtare të administratës amerikane.
Në deklaratë theksohet se komentet zbulojnë një bashkëpunim të thellë mes Uashingtonit dhe Izraelit, si dhe një përpjekje të vazhdueshme për të “errësuar të vërtetën rreth luftës brutale kundër civilëve të pafajshëm në Gaza”.
Një zëdhënës i Hamasit e akuzoi qeverinë amerikane se është “një partner aktiv në krimet e luftës dhe gjenocidin ndaj popullit palestinez, përmes financimit, armatosjes dhe mbrojtjes politike e diplomatike që i ofron Izraelit”.
Deri tani, autoritetet izraelite nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj komenteve të Miller.
Top Channel