
Festivali i filmit të animuar për fëmijë, Anifest, ka nisur edicionin e tij të 16-të në qytetin e Gjirokastrës, duke vijuar traditën si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për fëmijët në Shqipëri.
Këtë vit, festivali u hap me një nderim të veçantë për drejtorin artistik dhe themeluesin e tij, Artan Maku, i cili u dekorua me një titull nderi nga Bashkia e Gjirokastrës për kontributin e tij në zhvillimin e filmit të animuar dhe edukimin kulturor të brezave të rinj.
Artan Maku, themeluesi i festivalit të filmit të animuar për fëmijë thotë: “Ne kemi menduar që ky edicion të jetë unik dhe të zhvillohet në Gjirokastër, sepse këtu duhet të mbillet identiteti kulturor. Festivali synon të krijojë atmosferë pozitive në jetën e fëmijëve dhe të kontribuojë në shmangien e përdorimit pasiv të teknologjisë. Duam që fëmijët të mos jenë thjesht spektatorë, por protagonistë në përzgjedhjen e vlerave që i përfaqësojnë”.
Risi e këtij edicioni është organizimi i jurive në dy nivele: juria e fëmijëve, e cila do të ketë rol aktiv në përzgjedhjen e filmave fitues, dhe juria e të rriturve, me ekspertë të kinemasë dhe artit ndërkombëtar.
Më shumë se 1000 filma janë paraqitur për këtë edicion, dhe nga ata janë përzgjedhur një koleksion i pasur filmash të shkurtër që mbulojnë një gamë të gjerë tematikash, nga familja, miqësia dhe empatia, deri tek sfidat personale dhe fuqia e imagjinatës.
Top Channel