
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë, ku një prokurore është kanosur brenda zyrës së saj nga dy shtetase.
Sipas burimeve paraprake, dy gratë identiteti i të cilave nuk bëhet ende publik, janë të afërme të një të miture, viktimë e një vepre penale të ndodhur pak ditë më parë në qytet.
Mësohet se prokurorja, e cila ka pasur në ngarkim çështjen, kishte kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për autorin e dyshuar.
Të pakënaqura me vendimin, dy të afërmet janë paraqitur në ambientet e institucionit dhe kanë kërkuar takim me prokuroren. Aty, sipas burimeve, ato kanë përdorur gjuhë fyese dhe e kanë kanosur atë brenda në zyrë.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilat kanë shoqëruar dy të dyshuarat dhe kanë marrë dëshmitë e tyre. Për shkak të konfliktit të interesit, çështja i është kaluar për hetim Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila do të vijojë procedurat për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.
Prova kryesore në këtë hetim pritet të jenë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë së Prokurorisë së Sarandës, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.
Top Channel