
Rreth 4 hektarë me bimësi e shkurre në nënkurorën e pyllit me pisha të Darëzezës janë djegur nga zjarri masiv që u aktivizua mesditën e djeshme.
Sipas informacioneve pranë prefekturës Fier, vetëm një sipërfaqe e vogël me pisha është prekur nga zjarri .
Fatmirësisht flakët që u përhapën me shpejtësi u vunë nën kontroll falë një operacioni të përbashkët të shërbimeve zjarrfikëse të Fierit, Roskovecit, Lushnjës, Patosit, punonjësve të pyjores dhe banorëve të zonës, ndërsa dy buldozerë të bashkisë Fier i erdhën në ndihmë situatës kritike për hapjen e korridoreve brenda masivit për të mundësuar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Gjatë natës, dy mjete zjarrfikëse dhe tre grupe qëndruan në gatishmëri në rast të riaktivizimit të vatrave të zjarrit, ndërsa ditën e sotme zjarri është shuar plotësisht. Ndërkohë, po punohet për zbardhjen e shkaqeve identifikimin e autorëve.
Top Channel