
BE reagon pas rritjes së tarifave të Trump për çelikun, zyrtari i lartë europian: Kjo lëvizje rrit dëmin për konsumatorë dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut
Komisioni shprehu keqardhje të thellë për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të rritur tarifat e çelikut dhe aluminit në 50%, i cili tashmë ka njoftuar kundërmasa kundër SHBA-së.
“Ne besojmë se ky vendim shton më tej pasiguri në ekonominë globale dhe rrit dëmin për konsumatorët dhe bizneset në të dy anët e Atlantikut. Ai gjithashtu minon përpjekjet tona të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje të negociuar me SHBA-në”, tha Olof Zyl, zëdhënësi i Komisionit për tregtinë.
Gill vuri në dukje se BE, me mirëbesim, ngriu kundërmasat më 14 prill në mënyrë që të krijonte hapësirë për vazhdimin e negociatave. Ai shtoi gjithashtu se pas një bisede telefonike midis Presidentit të Komisionit dhe Presidentit të SHBA-së, të dyja palët ranë dakord të përshpejtojnë ritmin e bisedimeve.
Në këtë kontekst, ekipet teknike nga Komisioni janë në rrugë për në Uashington, ndërsa Komisioneri i Tregtisë, Maroš Šefković do të takohet me homologët e tij amerikanë të mërkurën në Paris, në margjinat e një takimi ministror të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
“Në rast se negociatat tona nuk çojnë në një rezultat të ekuilibruar, BE është gati të vendosë kundërmasa”, tha Olof Gill.
BE-ja aktualisht po finalizon konsultimet mbi një listë të gjerë kundërmasash dhe “nëse nuk arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, masat ekzistuese dhe ato të mundshme shtesë të BE-së do të hyjnë automatikisht në fuqi më 14 korrik ose më herët nëse rrethanat e kërkojnë”
“Komisioni është i gatshëm të ndërmarrë veprime dhe të mbrojë interesat e BE-së, për punëtorët, konsumatorët dhe industrinë e saj”, shtoi zëdhënësi i Komisionit.
Top Channel