
Një 31-vjeçar me shtetësi etiopiane, banues në Mbretërinë e Bashkuar, është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, në bashkëpunim me FRONTEX, pasi tentoi të kalonte në mënyrë të paligjshme një grup emigrantësh drejt Greqisë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në zonën e njohur si Katajeto, pranë piramidës 74, në kufirin e gjelbër me shtetin grek. Gjatë kontrollit, forcat e rendit ndaluan një grup prej 7 shtetasish me origjinë nga Etiopia, të cilët po tentonin kalimin e paligjshëm të kufirit. Ata shoqëroheshin nga Finan Kibrom, 31 vjeç, që kishte marrë përsipër të organizonte kalimin e tyre në këmbim të përfitimit financiar.
Sipas hetimeve paraprake, ky dyshohet të jetë rasti i dytë që 31-vjeçari kryente këtë veprimtari të paligjshme. Ai udhëtonte nga Greqia drejt Shqipërisë nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës, merrte grupin me të cilin kishte komunikuar më parë dhe përpiqej t’i kalonte përmes kufirit të gjelbër. Nëse kalimi realizohej me sukses, një taksi i priste për t’i transportuar më tej brenda territorit grek.
Finan Kibrom u arrestua për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, e parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal. Ndërkohë, 7 shtetasit e tjerë të huaj do të procedohen sipas ligjeve në fuqi dhe do të kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Top Channel