
Të paktën 26 persona janë vrarë pasi një tank izraelit goditi një qendër ndihme në Gaza, thonë punonjësit e shpëtimit, ndërsa 150 palestinezë janë plagosur gjithashtu, sipas spitalit të Kryqit të Kuq në Rafah.
Banorët vendas i thanë BBC-së se forcat izraelite hapën zjarr pranë qendrës së ndihmës në qytetin jugor të Gazës. Për momentin, Izraeli nuk ka komentuar mbi sulmin e raportuar.
Izraeli vendosi një bllokadë të plotë të Gazës dhe rifilloi ofensivën e tij ushtarake kundër Hamasit më 18 mars, duke thyer një armëpushim dy-mujor të ndërmjetësuar nga SHBA-të, Katari dhe Egjipti.
Më herët këtë javë, Uashingtoni siguroi se ky propozim kishte marrë tashmë miratimin e qeverisë izraelite, dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump siguroi të premten se të dyja palët ishin “shumë afër” një marrëveshjeje të re.
Po atë ditë, Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i tha Hamasit se ose do ta pranonte propozimin amerikan, i cili kërkon armëpushim, lirimin e pengjeve të marra gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 dhe në këmbim të të burgosurve palestinezë, ose do të “zhdukej”.
Ndërsa vazhdon luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës, Izraeli po përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund operacioneve të tij në konflikt, pasi situata humanitare përshkruhet si katastrofike për civilët.
Bllokada e plotë e enklavës që nga 2 marsi për më shumë se dy muaj, megjithëse u lehtësua pjesërisht javën e kaluar, ka shkaktuar mungesa të përhapura të ushqimit, ilaçeve dhe artikujve të tjerë thelbësorë.
Hamasi shpjegoi në njoftimin e propozimit se “dhjetë të burgosur të gjallë (…) të mbajtur nga rezistenca do të lirohen dhe 18 trupa të tjerë do të kthehen, në këmbim të (lirimit të) një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë” nga Izraeli.
Nga 251 personat që u rrëmbyen më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, 57 mbeten në Rripin e Gazës, por të paktën 34 prej tyre janë të vdekur, sipas autoriteteve izraelite. Hamasi gjithashtu ka ende në duar trupin e një ushtari izraelit i cili u vra në vitin 2014, në një luftë të mëparshme në enklavë.
Përgjigja e Hamasit “është krejtësisht e papranueshme dhe e tëra çfarë bën është të na kthejë prapa”, komentoi z. Witkoff dje nëpërmjet X.
“Hamasi duhet ta pranojë propozimin kornizë që bëmë si bazë për bisedime të ngushta që mund të fillojmë menjëherë javën tjetër”, shtoi ai pa hyrë në detaje të mëtejshme.
Kryeministri izraelit Netanyahu e përshkroi gjithashtu përgjigjen e Hamasit si “të papranueshme”, duke thënë se ajo e shtyn “procesin prapa”, sipas një deklarate nga zyra e tij.
«Ne nuk e hodhëm poshtë propozimin e Witkoff-it», i kundërpërgjigjet Bassem Naim, një anëtar në mërgim i byrosë politike të Hamasit, Agjencisë France-Presse, duke theksuar se është përgjigjja izraelite ndaj këtij propozimi që «bie ndesh me të gjitha dispozitat për të cilat kishim rënë dakord».
Megjithatë, “ne tani kemi reaguar në një mënyrë pozitive dhe të përgjegjshme, në një mënyrë që plotëson kërkesat dhe dëshirat minimale të popullit tonë”, shtoi anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të Hamasit. Ai sqaroi se lëvizja po kërkon një garanci se marrëveshja 60-ditore e armëpushimit do të respektohet nga Izraeli dhe se ajo do të shoqërohet me një fluks masiv ndihmash humanitare në enklavë, si dhe negociata për t’i dhënë fund përfundimisht luftës.
Ai gjithashtu denoncoi Uashingtonin për një qëndrim të anshëm, duke u pyetur retorikisht pse “njëra palë është gjithmonë plotësisht në favor të një tjetre”.
Më 19 maj, zoti Netanyahu deklaroi se nuk do ta përjashtonte një marrëveshje që do të parashikonte përfundimin e luftës, por shtoi se kjo duhet të përfshijë “dëbimin” e Hamasit dhe “çarmatimin e plotë” të Rripit të Gazës.
Këto janë kërkesa që janë refuzuar vazhdimisht nga lëvizja islamiste palestineze, e cila është në pushtet në enklavë që nga viti 2007.
Sipas dy burimeve të njohura me çështjen, propozimi amerikan parashikon që armëpushimi 60-ditor mund të zgjatet për dhjetë ditë të tjera, duke arritur në 70 ditë, dhe që Hamasi do t’i kthejë Izraelit 5 pengje të gjalla dhe 9 trupa në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe një numri të barabartë të të burgosurve të gjallë dhe të vdekur në të dytin.
Bastisja e paprecedentë nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, shkaku i luftës, vrau 1,218 njerëz nga pala izraelite, shumica e tyre civilë, sipas një llogaritjeje të Agence France-Presse bazuar në të dhëna zyrtare.
Më shumë se 54,321 palestinezë, shumica e tyre civilë, janë vrarë që atëherë në operacionet hakmarrëse ushtarake në shkallë të gjerë të Izraelit, sipas shifrave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e qeverisë së Hamasit në Gaza, të cilat konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Negociatat indirekte për një armëpushim të ri dhe, siç shpresohet, për një fund të luftës ende nuk kanë dhënë fryte që kur ushtria izraelite rifilloi operacionet e saj në mesin e marsit, duke i dhënë fund një armëpushimi dy-mujor. Ushtria izraelite e përshkallëzoi ofensivën në mesin e majit, me qëllimin e deklaruar publikisht për ta vënë nën “kontroll” të gjithë enklavën palestineze.
Top Channel