Fitorja e PSG-së, tifozët i vënë “flakën” Parisit, mbi 130 të arrestuar. Në Grenoble makina futet mes turmës, përplas 4 persona

01/06/2025 08:14

Fitorja e Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve ndezi menjëherë atmosferën në kryeqytetin francez, i cili priste me ankth këtë trofe prej vitesh.

Por gëzimi në rrugët e Parisit u kthye shpejt në kaos: më shumë se 130 persona janë arrestuar, disa dyqane janë plaçkitur dhe makina janë djegur.
Skenat më të rënda u regjistruan në Champs-Elysées, ku trazirat nisën që pas golit të parë të PSG-së. Një dyqan këpucësh u sulmua me raketa dhe sende të forta, ndërsa një tjetër, pjesë e një zinxhiri të njohur arredimi, pësoi të njëjtin fat. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Makina përplas turmën në Grenoble

Në Grenoble, në jug të Francës, një automjet goditi një grup njerëzish që po festonin, duke plagosur katër persona. Tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërsa një është në gjendje kritike. Sipas “Le Parisien”, shoferi dyshohet se humbi kontrollin e makinës dhe nuk kishte qëllim të shkaktonte aksidentin. Pas përplasjes, ai tentoi të ikte për t’i shpëtuar turmës së zemëruar, por më pas u dorëzua tek forcat e rendit.

Në Pau, një qytet në Pirenej, rreth pesëdhjetë persona shkatërruan një autobus dhe një vitrinë dyqani. Në Paris, një vajzë mbeti e plagosur në Place de la Bastille pasi u rrëzua mbi barriera metalike përreth kolonës.
Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, dënoi dhunën dhe autorët e saj duke i quajtur “barbarë”, duke theksuar se ata po shkatërrojnë gëzimin e tifozëve të vërtetë të PSG-së që festojnë në mënyrë paqësore.

Tension edhe në Gjermani

Edhe në Munih, ku u luajt finalja, pati incidente. Përplasjet nisën që në metro gjatë pasdites dhe vazhduan pas ndeshjes. Presidenti i PSG-së, Nasser al-Khelaifi, dhe futbollisti Dembélé, bënë thirrje për qetësi:
“Ju lutem, na duhet qetësi, jo incidente. Duam të festojmë në siguri me të dashurit tanë, kjo është gjëja më e rëndësishme,” tha Al-Khelaifi për Canal+. “Festoni pa shkatërruar gjithçka,” shtoi Dembélé.

Top Channel