Takimi i Polifonisë! Edicioni i nëntë, tradita në Gjirokastër rikthehet me zërat e rinj

31/05/2025 13:50

Mbrëmjen e 30 majit, Sheshi “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër u mbush me tingujt e polifonisë gjatë edicionit të nëntë të Takimit të Polifonisë, një aktivitet tashmë i përvitshëm që organizohet  nën drejtimin e “Mjeshtrit të Madh” Roland Çenko.

Rreth 150 nxënës nga tre shkolla të Gjirokastrës dhe shkolla e Libohovës performuan këngë polifonike dhe valle tradicionale, një dëshmi e angazhimit të të rinjve për të mbajtur gjallë isopolifoninë, një nga format më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare.

Polifonia në Gjirokastër dhe Libohovë përcillet mbi të gjitha, në familje dhe në jetën e përditshme, në dasma, gëzime e ceremoni, ku zëri i gjyshërve ndihmon që tradita të mos shuhet. Kjo mënyrë e natyrshme e transmetimit nga brezi në brez ka mbetur e gjallë në shumë shtëpi të Jugut, ku edhe sot kur mblidhen disa njerëz në një oborr, mund të nisin këngën  si dikur, për të shprehur mallin, brengën, por edhe gëzimin e humorin.

Roland Çenko, i njohur për përkushtimin e tij në edukimin përmes këngës, thotë se ky aktivitet është tashmë pjesë e kalendarit të tij çdo vit.

“Ky ishte edicioni i nëntë dhe jam shumë krenar për këta fëmijë. Mendoj se po bëj gjënë e duhur kur shkoj t’i takoj ,mezi më presin.Numri i atyre që i bashkohen grupeve po shtohet. Gjithnjë e më shumë duan të mësojnë , kjo është shpresëdhënëse.”

Në këtë përpjekje për ruajtjen e trashëgimisë, edhe shkollat kanë luajtur rol të rëndësishëm, duke e integruar polifoninë në jetën kulturore të nxënësve. Një vajzë nga Ansambli i Libohovës tha:

“Është një privilegj që ne transmetojmë traditën e Libohovës , këngët, vallet dhe isopolifoninë. Ne jemi të ndarë në dy grupe: tek grupi i të rinjve marrin pjesë 23 persona, ndërsa te më të vegjlit rreth 35. Kënga dhe vallja e traditës janë një pasuri jo vetëm për ne, por për të gjithë njerëzit.”

Polifonia e Gjirokastrës, e njohur për ndërtimin e saj katër-zërësh dhe për karakterin horizontal të këndimit, ka qenë për shekuj një mënyrë shprehjeje e jetës, ndjenjave dhe historive njerëzore , një gjuhë që ka jetuar në këngë, në oborre, në festa dhe në dhimbje.

Në vitin 2005, isopolifonia shqiptare u njoh nga UNESCO si kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit, një status që vlerëson jo vetëm bukurinë artistike të saj, por edhe forcën me të cilën vijon të përcillet përmes brezave.

Top Channel