
13 persona janë dërguar nën gjykim nga Prokuroria e Tiranës, pas mbylljes së hetimeve për skandalin e mbetjeve spitalore, ku rezultoi një skemë e gjerë falsifikimi dhe bashkëpunimi mes subjekteve private dhe funksionarëve publikë.
Administratorët e tre kompanive akuzohen për përfitime të padrejta në një sërë spitalesh publike duke bërë deklarime të rreme pa pasur kapacitetet mbi pajisjet teknologjike për sterilizimin e mbetjeve.
Ndërsa 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve shtetërore janë dërguar për gjykim për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë kryer inspektime reale dhe kanë lejuar shkelje të lejeve mjedisore.
Top Channel zbulon se bëhet fjalë për kompaninë “Vale Recycling” të administratorit Elvis Miri që dyshohet se ka përfituar 30 tendera publike në kundërshtim me ligjin pa pajisjet e duhura. Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim edhe Elidiana Shehun e kompanisë “EMC shpk” dhe Laert Shehun e “Swot Shpk”.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 13 persona, mes të cilëve 10 inspektorë e zyrtarë të institucioneve mjedisore për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spiralore.
Në kuadër të hetimeve të zgjeruara për çështjen penale nr.1255/2024, e cila u regjistrua pas kallëzimit të gazetarit investigativ S.K., u këqyr i gjithë dokumentacioni zyrtar, u morrën deklarime, si dhe u verifikuan në terren dhe u administruan provat materiale e fotografike.
Hetimi zbuloi një skemë të gjerë falsifikimi dhe shpërdorimi detyre, e cila përfshinte bashkëpunim ndërmjet subjekteve private dhe funksionarëve publikë dhe për rrjedhojë u morrën të pandehur për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve (neni 186/3 i Kodit Penal) shtetasit:
Këta shtetas akuzohen për deklarime të rreme mbi pajisje teknologjike për sterilizimin e mbetjeve, të përdorura për të përfituar kontrata publike dhe leje mjedisore në mungesë të kapaciteteve reale.
Gjithashtu, u morrën të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës (neni 248 i K.Penal) dhjetë inspektorë dhe zyrtarë të institucioneve mjedisore: J.Sh., E.P., A.M., N.D., T.P., B.S., A.K., B.L., I.B., dhe K.A..
Ata dyshohen se kanë kryer inspektime formale, kanë pranuar dokumentacion të manipuluar dhe nuk kanë verifikuar kushtet reale të instalimeve në terren. Nga analiza e të dhënave rezultoi se, gjatë periudhës 2017–2022, subjekti “V. R..” ka përfituar mbi 30 tendera, duke përdorur pajisje të pasakta dhe të munguara në vendushtrim te aktivitetit, në kundërshtim me kriteret ligjore për lejet mjedisore të tipit A dhe B. Ky hetim nxjori në pah problematika të rënda në zbatimin e standardeve mjedisore, mungesën e kontrolleve efektive dhe bashkëpunimin e dyshimtë ndërmjet interesave privatë dhe autoriteteve mbikëqyrëse.
Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim përfundimtar nga gjykata kompetente”-njofton prokuroria.
Top Channel