
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se Kina përbën një kërcënim real dhe të menjëhershëm për Tajvanin, duke paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Pekini tenton ta pushtojë ishullin vetëqeverisës.
Gjatë fjalimit të tij në Dialogun Shangri-La, një samit i nivelit të lartë për sigurinë në Azi, Hegseth u bëri thirrje vendeve të rajonit që të rrisin investimet në mbrojtje dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të garantuar paqen dhe stabilitetin në Indo-Paqësor.
“Kërcënimi që paraqet Kina është real. Dhe mund të jetë i afërt. Ne nuk kërkojmë konflikt, por nuk do të largohemi nga ky rajon jetik, dhe nuk do të lejojmë që miqtë tanë të frikësohen”, u shpreh Hegseth.
Ai paralajmëroi se Kina është duke u përgatitur në mënyrë aktive për të përdorur forcën ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e pushtetit në rajon, duke përmendur një afat të mundshëm deri në vitin 2027 për ndërhyrje ushtarake në Tajvan, afat që është përmendur më parë nga zyrtarët amerikanë, megjithëse nuk është konfirmuar nga vetë Kina.
Hegseth theksoi se “parandalimi nuk kushton lirë” dhe inkurajoi vendet aziatike që të ndjekin shembullin e Evropës, ku shumë vende kanë rritur ndjeshëm buxhetin ushtarak pas kërkesës së Presidentit Trump që shpenzimet për mbrojtje të arrijnë 5% të PBB-së. Ai kërkoi që aleatët në Indo-Paqësor të bëhen “partnerë, jo të varur” nga SHBA-ja.
Top Channel