Plani për rezervistët në ushtri! Qeveria i hapi rrugë rikthimit të tyre aktiv, Dervishi tregon për TCH: Si përzgjidhen dhe sa paguhen

31/05/2025 15:01

Këta të rinj kanë zgjedhur shkollimin në Akademinë e Mbrojtjes për t’u bërë pjesë e forcave të armatosura.

Krahas mirë-edukimit, modernizimit me armatime të standarteve të NATO-s, elementi njerëzor mbetet me rëndësi të dorës së parë për ushtrinë shqiptare.

Qeveria i çoi parlamentit projektligjin për aktivizimin e forcës rezerviste.

Dr. Glevin Dervishi – Drejtues i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare AFA/MM, në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, tregon detajet e forcës rezerviste.

“Të jetë 20% e komponentit të forcave të armatosura. Në forcën rezerviste, si rregull, mund të bëjnë pjesë çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë i moshës mbi 18 vjeç, i cili kalon në një proces përzgjedhjeje dhe është një vlerë e shtuar përsa i takon komponentëve që i takon në nevojën e forcës së armatosur për njerëz të specialiteteve dhe profileve akademike dhe inxhinjerike të domosdoshme që i shërbejnë forcës së armatosur. Në komponentin rezervist thirresh njëherë në vit dhe mund të qëndrosh në gazermën ku je caktuar 3 deri në 5 javë, në varësi të programit që bën forca. Në rast të situatave ekstreme, gjendje të jashtëzakonshme apo gjendje lufte mund të qëndrosh i thirrur për një kohë më të gjatë sipas nevojës”, thotë Dervishi.

Zoti Dervishi shpjegon edhe mekanizmin e pagesës për rezervistët e ushtrisë shqiptare: “Do të jetë një shërbim i pagueshëm, pra qytetari që do të qëndrojë në sistemin rezervist do të marrë një pagë në varësi të kohës që qëndron i angazhuar, pra jo gjatë gjithë vitit”.

Ndërkohë një tjetër projektligj i qeverisë synon ri-aktivizimin e ushtarakëve në lirim.

“Ushtarakët të cilët kanë ndërprerë marrëdhënien me forcën e armatosur gjatë karrierës së tyre në një pikë të caktuar, supozojmë që dikush ka dalë me gradën Major apo Nën-Kolonel nga ushtria pas disa vitesh shërbim, mund të rikthehet sërish dhe të bëhet pjesë aktive e forcës së armatosur, por me një kusht. E rifillon me gradën ku e ke lënë dhe me kushtin tjetër që nuk mund të vijosh në gradën pasardhëse në sistemin e karrierës.

Ky është më së shumti një mekanizëm që i shërben forcës së armatosur për të mbajtur kryesisht disa profesione të veçanta brenda forcave të armatosura që janë shumë të vështira për t’u përgatitur dhe kanë një kosto të jashtëzakonshme, por që janë një vlerë e shtuar dhe që forcojnë komponentin aktiv të forcave të armatosura”, shton ai.

Por sa të nevojshme e ka Shqipëria rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak?

“Republika e Shqipërisë nuk e ka hequr nga Kushtetuta detyrimin që qytetarët e saj t’i shërbejnë Republikës. Që nga viti 2008 apo 2009, para se të hynim në NATO, Republika e Shqipërisë e ka suspenduar detyrimin kushtetues ndaj qytetarëve të saj për shërbim të detyrueshëm ushtarak.

Aktualisht nuk është parë e nevojshme nga niveli i riskut që Shqipëria të ketë nevojën për të rikthyer sërish shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Por natyrisht kjo nuk mund të përjashtohet. Në varësi të situatës, krizave dhe sfidave që mund t’i paraqiten vendit, është mëse normale që mund të rikthehet sërish.

Në fund të ditës qytetari me të drejtë kërkon angazhimin e shtetit për çdo lloj elementi, por në fund të ditës siguria kombëtare është shumatore e kontributit kolektiv”, përfundon Dervishi.

Top Channel