
Është zbardhur nga policia e Durrësit plagosja e natës së kaluar në Fllakë.
Një konflikt i të plagosurit me babanë e autorit të dyshuar nga Kavaja ka sjellë në plagosjen e Arbër Gorgejas, 36 vjeç teksa lëvizte me makinë.
I plagosuri mësohet se ka qëlluar me grusht për motive të dobëta Eqerem Kazazin në Kavajë për motive të dobëta. Autori i dyshuar është identifikuar si Erkid Kazazi, emër i njohur për policinë ndërsa po punohet për kapjen e tij. Ndërkohë policia ka konfirmuar se gjatë momentit të plagosjes, në automjet ishin dhe dy fëmijë të mitur, por fatmirësisht nuk janë plagosur.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.
Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.
Top Channel