
Pas shumë dekadash qëndrimi mbyllur, Hamami Mesjetar i Durrësit hap për herë të parë dyert për vizitorët vendas e të huaj.
Ky objekt i trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë u restaurua vjeshtën e kaluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit EU4Culture.
“Hapja e Hamamit për vizitorët është një ngjarje e rëndësishme për qytetin. Ky është një investim i rëndësishëm pas tërmetit të vitit 2019 dhe me këtë objekt plotësojmë një pjesë të munguar të mozaikut historik të Durrësit”-shprehet Alban Ramohitaj, Drejtor i Qendrës Muzeore Durrës.
Me një arkitekturë të veçantë, Hamami vjen si një vlerë e shtuar për turizmin kulturor në qytetin bregdetar. Ndërkohë, edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit pritet të hapet së shpejti, por ende nuk ka një datë përfundimtare për çeljen e tij.
“Muzeu Arkeologjik do të hapet shumë shpejt. Për herë të parë do të jenë të hapura të tre katet e tij, gjë që nuk ka ndodhur më parë.”
Me një histori 3-mijëvjeçare, Durrësi ofron për vizitorët një trashëgimi të pasur kulturore. Përveç Amfiteatrit Antik dhe Torrës Veneciane, tashmë edhe Hamami Mesjetar i shtohet listës së objekteve të hapura për publikun. Në ambient të hapur vijon të jetë i shikueshëm edhe Forumi Bizantin, dëshmi të gjalla të qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në qytetin antik.
Top Channel