
Shkarkimet masive të punonjësve federalë, të urdhëruara nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, do të mbeten të pezulluara, ka vendosur një gjykatë apeli.
Presidenti Trump kishte nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shkurt duke u udhëzuar krerëve të agjencive të fillonin “shkurtime në shkallë të gjerë” të stafit. Këto përpjekje për të shkurtuar fuqinë punëtore federale u ndaluan nga një gjyqtar i Kalifornisë në fillim të këtij muaji.
Të premten, një gjykatë apeli me seli në San Francisko hodhi poshtë kërkesën e administratës Trump për të zhbllokuar atë urdhër gjyqësor.
“Urdhri Ekzekutiv në fjalë këtu i tejkalon shumë kompetencat mbikëqyrëse të Presidentit sipas Kushtetutës. Presidenti gëzon fuqi të konsiderueshme shkarkimi në lidhje me zyrtarët e emëruar të agjencive federale”, shkroi Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë.
Administrata Trump kishte kërkuar një pezullim emergjent të një urdhri gjyqësor të dhënë nga gjyqtarja Susan Illston e San Franciskos. Gjyqtarja vuri në dyshim se si mund të ndërmerrej një riorganizim i agjencive federale pa autorizimin e Kongresit.
Top Channel