
Në Meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit për shugurimin e njëmbëdhjetë priftërinjve të rinj të dioqezës së Romës, Papa Leoni XIV dha një mesazh të fuqishëm për gjithë klerin katolik: “Jetë të njohura, jetë të lexueshme, jetë të besueshme.”
Ati i Shenjtë kërkoi transparencë të plotë dhe një dëshmi të sinqertë të besimit përballë popullit të Zotit.
“Do të rindërtojmë së bashku besueshmërinë e një Kishe të plagosur, të dërguar një njerëzimi të plagosur. Nuk jemi të përsosur, por duhet të jemi të besueshëm”, theksoi ai, duke shtuar: “Dashuria e Krishtit na zotëron – një zotërim që çliron dhe na mundëson të mos zotërojmë askënd. Çliro, mos zotëro.”
Ky shugurim shënon rikthimin e traditës së shugurimeve të drejtpërdrejta nga Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, pas tre vitesh në të cilat ceremonia ishte kryesuar nga Kardinali Angelo De Donatis.
Një mesazh i qartë edhe për Kishën Franceze
Në një mesazh drejtuar Konferencës Episkopale Franceze, Papa Leoni XIV kërkoi guxim për të përballuar “erërat kundër dhe herë pas here armiqësore të indiferentizmit, materializmit dhe individualizmit”.
Ai i bëri thirrje Kishës franceze që të mos shikojë vetëm nga e kaluara, por të rizgjojë shpresën dhe të frymëzojë një shtysë të re misionare, duke sjellë si shembull tre shenjtorë francezë të kanonizuar një shekull më parë: Shën Gjon Eudi, Shën Gjon Maria Vianney dhe Shën Tereza e Jezusit Fëmijë.
“Zoti mundet, me ndihmën e Shenjtorëve që ju i festoni, të ripërtërijë mrekullitë e së kaluarës”, u shpreh Papa, duke nënvizuar rëndësinë e thirrjeve të reja priftërore në një kohë kur mungesa e tyre po ndihet gjithnjë e më shumë.
Top Channel