“Musk drogohej në fushatën e Trump”/ Hetimi tronditës i New York Times mbi përdorimin e substancave psikoaktive nga miliarderi

30/05/2025 19:52

Një hetim i fundit nga prestigjiozja Neë York Times ka hedhur dritë mbi dyshime serioze lidhur me përdorimin e drogës nga Elon Musk, gjatë një periudhe të ndjeshme politikisht në Shtetet e Bashkuara.

Sipas gazetës, Shefi i Tesla dhe “SpaceX” dyshohet se ka përdorur substanca psikedelike, si ketamina, ekstazia dhe kërpudhat haluçinogjene, madje edhe gjatë ngjarjeve publike në mbështetje të Donald Trump.

Burime të afërta me Musk i kanë thënë New York Times se ai udhëtonte shpesh me një kuti që përmbante rreth njëzet pilula, të cilat dyshohet se i përdorte rregullisht. Një nga substancat kryesore që përmendet është ketamina, përdorimi i së cilës, sipas raportimeve, ka shkaktuar probleme në fshikëzën urinare, një efekt anësor i njohur i përdorimit të zgjatur dhe të pakontrolluar të saj.

Sipas dëshmive të mbledhura, Musk ka eksperimentuar edhe me ekstazi dhe kërpudha halucinogjene në disa raste, duke ngritur shqetësime serioze midis bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Zbulimet vijnë në një moment politikisht delikat, dhe dyshohet se Musk i ka përdorur substancat gjatë kohës që ishte aktiv në skenën publike, madje edhe në konferencat që bënte pranë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas mediave vendëse, reputacioni dhe ndikimi i Musk po kalojnë një periudhë të vështirë, me kompanitë e tij kryesore – Tesla dhe SpaceX, të cilat po përballen me një rënie të perceptimit pozitiv nga investitorët, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të tij politike.

Pavarësisht këtyre akuzave, Elon Musk nuk është hetuar apo akuzuar zyrtarisht për përdorim droge. Ai vetë ka pranuar në të kaluarën disa eksperimente me substanca të lehta, duke pretenduar se “kishin për qëllim të ndihmonin kreativitetin dhe interesat e investitorëve”.

Top Channel