Festivali i Monodramës “Flas shqip” në Teatrin “Zonja e Bujtinës”! Nis me veprën tragjikomike “I pakalluri i vdekur”

30/05/2025 12:28

“I pakalluri i vdekur” është monodrama tragjikomike, që trajton problemet e individit dhe raporteve të tij me familjen e shoqërinë.  

I rritur me parime për të qenë i drejtë, protagonisti kupton se këto cilësi i kthehen në fatkeqësi.

“Problemet që ka individi, personazhi i paemër i vdekur dhe i ringjallur, ekzistojnë në çdo lloj shoqërie. Në vende si tonat është më e dukshme ku problemet socio-ekonomike e fusin individin në mors dhe nxjerrin nga individi ose më të mirën ose më të keqen”, shprehet aktori Marius Dhrami.

Me elementë të fortë të groteskut që thumbojnë realitetin shqiptar, vepra vjen nën autorësinë e Naun Shundit, që me penën e tij bën thirrje për tolerancë e mirëkuptim mes njerëzve në shoqëri.

“Po bëj një koment brenda groteskut. Siç duket, andej nga bota tjetër duhet të jetë më mirë se këtej, duke qenë se ne vdesim të shkojmë andej, ndërsa nga andej nuk vjen njeri këtej”, thotë Dhrami.

“Unë jam përpjekur me aq sa kam mundur të them ngacmoj diçka, sepse teatri nëse nuk ngacmon, nëse nuk prek probleme ku njeriu të shikojë vetveten dhe tërë ambientin që e rrethon, atëherë pse e merr përsipër të thuash një gjë nga skena, kur kjo nuk ngjit dhe nuk përkon me asgjë”, tregon dramaturgu Naun Shundi.

Kjo shfaqje çeli festivalin kombëtar të monodramës “FLAS SHQIP”, që për një javë do të ngjisë në skenë shtatë drama shqiptare. Në natën finale, pas vlerësimit të jurisë së përbërë nga Bujar Asqeriu, Bujar Kapexhiu e Raimonda Bulku, do të ndahen çmimet për autorin, regjisorin dhe aktorin më të mirë.

“Në teatrot tona nuk lëvrohet sa duhet drama kombëtare. Është e thjeshtë të marrësh Shekspirin, Çehovin, Ibsenin dhe suksesi është i garantuar. Por të marrësh një autor shqiptar është shumë herë më mirë sepse inkurajon dramaturgjinë shqiptare”, thotë Shundi.

Festivali që synon të krijojë një traditë për interpretët dhe krijuesit e dramës mbahet në teatrin e krijuar në shtëpinë e Shundit, Zonja e Bujtinës, ku publiku mund të përjetojë një eksperiencë ndryshe, me kontakt të drejtpërdrejtë me aktorët.

“Të kthesh shtëpinë në teatër është nderi i madh për këdo. I uroj çdo kujt të bëjë teatër, sa më tepër teatro të kemi, aq më mirë është për të tërë. Burgje kemi plot  teatro nuk po ndërtojmë. Kjo është fatkeqësi”, rrëfen dramaturgu.

Top Channel