
Një mesazh i qartë dhe i ashpër nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump drejtuar udhëheqjes së Iranit u dorëzua personalisht në Teheran nga Ministri i Mbrojtjes së Arabisë Saudite, Princi Khalid bin Salman.
Sipas katër burimeve të pavarura nga Lindja e Mesme dhe Irani, të cituara nga Reuters, princi paralajmëroi se oferta e Trump për një marrëveshje bërthamore është shansi i fundit për të shmangur luftën me Izraelin dhe destabilizimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme.
Mesazh për Khamenein nëpërmjet takimit sekret në Teheran
Takimi sekret u zhvillua më 17 prill, në kompleksin presidencial në Teheran, ku Princi Khalid u takua me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Mohammad Bagheri dhe Ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi. Mesazhi erdhi direkt nga Mbreti Salman, i cili është i shqetësuar për një valë të re destabilizimi pas konflikteve në Gaza dhe Liban.
“Trump dëshiron një marrëveshje të menjëhershme, ai nuk ka durim për negociata të zgjatura”, thuhet se tha princi, duke paralajmëruar se dritarja për diplomaci do mbyllej së shpejti.
Sipas të njëjtave burime, ai theksoi se nëse bisedimet dështojnë, Izraeli mund të nisë sulme ushtarake dhe se “një përshkallëzim i tillë do të ishte katastrofik për të gjithë rajonin”.
Irani dëshiron një marrëveshje, por nuk do të tërhiqet nga pasurimi me uranium
Presidenti Pezeshkian thuhet se tha se Teherani dëshiron një marrëveshje për të hequr sanksionet, por shprehu shqetësim në lidhje me qasjen e paparashikueshme të administratës Trump. Sipas burimeve iraniane, Teherani i konsideron kërkesat e SHBA-së për një çmontim të plotë të programit të pasurimit të uraniumit të papranueshme.
Një zyrtar i lartë iranian tha se vendi nuk është i përgatitur të sakrifikojë programin e tij të pasurimit vetëm “sepse Trump e dëshiron”. Në vend të kësaj, Irani po shqyrton mundësinë e një “ngrirjeje” të pasurimit nëse SHBA-të heqin fondet e tyre të ngrira dhe njohin të drejtën e tyre për përdorim paqësor.
Lidhur me këtë çështje, një zyrtar i lartë amerikan i tha Ëall Street Journal se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një dokument me kushte që synojnë t’ia paraqesin Iranit së shpejti, i cili përfshin një kërkesë për të ndaluar pasurimin e uraniumit. Sipas zyrtarit, “nëse iranianët nuk i pranojnë këto kushte, do të jetë një ditë e keqe për ta”.
Trump kërcënon
Donald Trump konfirmoi në deklaratat e tij se e ka paralajmëruar Izraelin të mos ndërmarrë asnjë veprim që do të prishte bisedimet, duke thënë se të dy palët janë “shumë afër një zgjidhjeje”.
“Presidenti Trump ishte i qartë: ose bën një marrëveshje ose përballesh me pasoja serioze dhe bota e kupton këtë.”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas të njëjtave burime, Princi Khalid i siguroi iranianët se Arabia Saudite nuk do të lejojë që territori ose hapësira e saj ajrore të përdoret për sulme kundër Iranit nga SHBA-të ose Izraeli. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Teheranit të rishikojë strategjinë e tij të përgjithshme rajonale, diçka që Riadi do ta mirëpriste.
Është fakt se pavarësisht afrimit të vitit 2023, Arabia Saudite dhe vendet e tjera në rajon ende e shohin Iranin si një partner të pabesueshëm për paqen. Diplomatët vlerësojnë se Riadi është i shqetësuar se veprimet e Iranit ose aleatëve të tij mund t’i vendosin ata në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, gjë që do të kërcënonte planet ekonomike dhe vizionin e zhvillimit të mbretërisë.
Top Channel