Akuzat e rënda ndaj yllit të NBA! Përdhunime dhe kërcënime me jetë, padi e re e ngritur në Los Angeles

30/05/2025 21:40

Ylli i New Orleans Pelicans, Zion Williamson, është paditur për përdhunim dhe abuzim seksual, sipas një padie të ngritur këtë javë në Gjykatën e Lartë të Los Angeles. Lajmi u raportua të premten nga New York Post.

Sipas dokumenteve të padisë, një grua e identifikuar si Jane Doe, e cila pretendon të ketë qenë në një lidhje me Williamson në vitin 2020, akuzon 24-vjeçarin për dy raste të sulmeve seksuale dhe një model sjelljeje “abuzive, kontrolluese dhe kërcënuese”, që sipas saj ka ndodhur në Kaliforni, Luiziana dhe shtete të tjera.

Në një nga akuzat më të rënda, padia pretendon se Williamson i ka thënë stafit të tij të sigurisë se do të qëllonte Doe-n në kokë dhe do të vriste prindërit e saj.

“Klientja jonë është shumë e vendosur – kjo nuk është një çështje që dëshiron ta trajtojë në publik, por serioziteti i situatës kërkon drejtësi,” tha avokati i saj, Sam Taylor nga Lanier Law Firm, për New York Post. “Ajo mezi pret të dëshmojë në gjykatë dhe t’i tregojë jurisë çfarë ka përjetuar.”

Deri të premten pasdite, as Williamson dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë reaguar publikisht ndaj akuzave. Klubi i tij, New Orleans Pelicans, gjithashtu nuk ka komentuar mbi çështjen.

Zion Williamson, zgjedhja e parë në Draftin e NBA-së të vitit 2019 nga universiteti Duke, është një nga emrat më të njohur të basketbollit amerikan. Ai është dy herë pjesë e All-Star dhe ka një mesatare karriere prej 24.7 pikësh, 6.6 ribaundesh dhe 4.3 asistash për ndeshje në 214 paraqitje me Pelicans.

Top Channel