
Rona Nishliu dhe Gent Rushi emocionuan publikun që mbushi sallën e Akademinë e Arteve me interpretimin e këngëve të vjetra nga Shkodra, Tirana dhe Korça, të risjella me një frymë të re.
“Si një tribut për muzikën që është prodhuar nga ato treva. Kemi dashur t’i prekim këto këngë, që kanë kuptim dhe rëndësi për secilin prej nesh”, u shpreh këngëtarja Rona Nishliu.
“Ajo që kemi guxuar me këtë koncert është zvogëlimi i distancës midis artistëve që janë në skenë dhe publikut në sallë. E konsiderojmë pjesë të spektaklit publikun, që i njeh këngët dhe mund t’i këndojë me ne”, tha pianisti Gent Rushi.
Artistët riimagjinojnë këngët tradicionale shqiptare përmes xhazit, duke bashkuar trashëgiminë e pasur folklorike me improvizimin dhe eksplorimin harmonik.
“Më japin një liri të plotë kreative dhe kjo më pëlqen tej mase. Njerëzit i dinë variantet origjinale të këtyre këngëve dhe kemi guxuar, kemi eksperimentuar me këto këngë”, tha ndër të tjera artistja Rona Nishliu.
Koncerti JALBOZ u mbajt në kuadër të Javës së Evropës, një hapësirë bashkëpunimi ku kultura vepron si urë mes qytetarëve, komuniteteve dhe vlerave evropiane.
Top Channel