Vuajtjet e fëmijëve në Gaza/ “Kam vetë nipër dhe mbesa”, ambasadori palestinez në OKB shpërthen në lot!

29/05/2025 15:29

Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, nuk i mbajti dot lotët në një fjalim të ngarkuar me emocione ku përmendi vuajtjet e popullit të tij, duke u ndaluar veçanërisht tek tragjedia e “papërballueshme” e fëmijëve të Gazës.

Unë kam dhe vetë nipër e mbesa, e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo për familjet e tyre. Si mund të qëndrojmë indiferentë”, u shpreh Mansour, që në një moment ndaloi fjalën e tij e përplasi grushtin plot dhimbje në tavolinë, teksa përmendi më shumë se 1.300 fëmijë të vrarë që nga përfundimi i armëpushimit në muajin mars.

Ambasadori kujtoi skenat e nënave që përqafojnë trupat e pajetë të fëmijëve të tyre, e tha se ato janë të padurueshme për çdo njeri që ka një ndërgjegje.

Sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit, që shkaktoi luftën, rezultoi me vdekjen e 1.218 personave, kryesisht civilë, sipas një përllogaritjeje të AFP-së bazuar në shifra zyrtare. Militantët gjithashtu morën 251 pengje, nga të cilët 57 mbeten në Gaza, përfshirë 34 që ushtria izraelite thotë se janë të vdekur. Të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi tha se të paktën 3.822 persona janë vrarë në territor që nga shembja e armëpushimit më 18 mars, duke e çuar numrin total të viktimave të luftës në gati 54 mijë, shumica civilë.

Top Channel