“Nuk shoh përgjegjësi për humbjen e mandatit të Metës”, Kryemadhi: Politika nuk bëhet vetëm duke bërë politikë

29/05/2025 12:20

Deputetja Monika Kryemadhi në një prononcim për gazetarët në ambientet jashtë Kuvendit, tha se nuk ndihet e keqardhur që s’do të jetë më pjesë e Parlamentit të ri.

Aj u shpreh se nuk ka përgjegjësi që ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk arriti të merrte dot një mandat në Kuvend.

“Nuk kam asnjë lloj keqardhje që s’do jem në Parlament, sepse karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës dhe e askujt, por është e lëvizshme dhe vijon të lëvizë. E vetmja keqardhje që kam, është se njerëzit janë shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor të qeverisë.

Nuk shoh ndonjë përgjegjësi për humbjen e mandatit të Metës, sepse nuk kam qenë drejtuese e fushatës. Unë mendoj se përgjegjësinë më të madhe ne duhet ta kërkojmë te organizatorët e zgjedhjeve, te qeveria, sepse duket qartë farsa elektorale.

Filmi është njëra anë e jetës dhe është shumë interesante. Politika nuk bëhet vetëm duke bërë politikë, duke folur për politikën. Politika bëhet edhe me sjelljen edhe veprimet e tua. Por një gjë dua ta them, që situata nuk do të jetë më mirë se sa ka qenë, por më keq sesa ka qenë.

Që 11 maji ishte farsë elektorale, ishte farsë elektorale. Që identifikimi i shenjave të gishtërinjve të qytetarëve, ku në momentin e votimit qytetari vendoste shenjën e gishtit dhe informacioni i shkonte zyrës së patronazhimit në PS që ka ardhur filani, që ndoshta në një këndvështrim ligjor nuk është shkelje ligji, por është përdorim i aseteve qeveritare në funksion të një partie, sigurisht që ka.

Që të shikosh përdorimin e gjithë fondeve buxhetore të shtetit apo të taksapaguesve shqiptarë në funksion të favorizimit, apo të minimit të vullnetit politik, sigurisht që edhe kjo është shkelje”, tha mes të tjerash Kryemadhi.

Top Channel