Ndryshime në krye të spitaleve/ Largohet nga drejtimi Alma Cani, emërohet Donjela Bali

29/05/2025 15:21

Largohet nga drejtimi i QSUT Prof Alma Cani dhe nga kjo e enjte qendra më e madhe spitalore do të drejtohet nga një tjetër mjeke Prof Donjeta Bali.

Burime të Top Channel thonë se do të ketë edhe të tjera lëvizje në institucionet e në varësi të ministrisë se Shëndetësisë, por ende nuk dihet i radhës.

Prof. Donjeta Bali, mjeke pediatre që prej më shumë se 20 vite ofron kujdes shëndetësor për të vegjlit me sëmundje të gjakut në shërbimin e peditarisë në QSUT.  Prof Bali është prezantuar zyrtarisht në këtë post para shefave të shërbimeve në QSUT nga ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu.

Emri i saj u lakua se do të vinte në këtë post, një ditë para prezantimit zyrtar i cili u bë këtë të enjte në prani edhe të paraardhëses  prof Alma Cani.

Prof Cani erdhi në krye të QSUT në 25 mars 2024. Ajo qëndroi në këtë pozicion për afro 14 muaj. Prof Alma Cani e cila më parë drejtonte shërbimin e reanimacionit në spitalin univeristar Shefqet Ndroqi rikthehet po në këtë spital por tanimë në pozicionin e nëndrejtores mjekësore  të ish Sanatoriumit. Ministrja e Shëndetësisë teksa prezantoi drejtuesen e re vuri theksin tek shërbimi cilësor dhe pacienti në qendër, ndonëse nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me këtë ndryshim në një kohë kaq të shkurtër.

Top Channel