
Në autobusin e një agjencie udhëtimi janë gjetur dhe sekuestruar 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara.
Policia thotë se në dalje të RSh-së, në Kakavijë është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusi i një agjencie udhëtimi, që drejtohej nga shtetasi A. L.
Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur dhe qenin e Policisë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në autobus, 3 zarfe brenda të cilave kishte 74 240 euro dhe 15 dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti të shtetit francez, leje për qëndrim në Greqi dhe në Gjermani).
Në pranga ranë: A. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i autobusit, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të kryera në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”;
-K. Gj., 41 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i agjencisë së udhëtimit dhe dërguesi i dokumenteve false, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, të kryera në bashkëpunim;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Gj., 57 vjeç, banues në Dimal, shoferi tjetër i autobusit, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi J. K., 73 vjeç, banues në Greqi, pronari i agjencisë së udhëtimit dhe pritësi i shumës së parave, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet proceduarale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel