“Babai më ka lënë të vogël”, rrëfimi i Erion Alibejt: Jam kujdesur për nënën, vëllai merrej me trafik droge

29/05/2025 13:18

I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka rrëfyer në seancën gjyqësore se vëllai i tij është marrë me trafik droge jashtë vendit.

Nga ana tjetër ai është kujdesur për nënën e sëmurë, por nuk është marrë me punë të paligjshme.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbardhi detaje nga dëshmia e tij.

Alibej: Babai më ka lënë të vogël. Kemi qenë familje e respektuar në qytet. Vëllai fillimisht emigroi në Greqi, më vonë në Itali. Gjatë kësaj kohe ai është marra me veprimtari të jashtëligjshme, trafik droge. Unë jam kujdesur për nënën dhe nuk jam përfshirë.

Nga 2006-2010 vëllai është marrë me trafik. Në 2010 emigroi në Holandë dhe derisa ndërroi jetë ishte me dokumente holandeze. Në vijimësi, vëllai, Endrit Dylgjeri (Alibej) është marrë me trafik droge.

Në 2010 unë shkova në Itali të merrja disa ilaçe për nënën. Vëllai kërkohej nga policia italiane. Ditën e fundit që do kthehesha, më arrestoi policia. U bë një proces dhe u dënova 3 vjet e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, edhe pse nuk isha. Në 2012 u lirova. Endriti më dërgoi një vajzë, që më mori me makinë dhe shkuam në Roterdam, Holandë.

Ditën që i shkova në shtëpi, aty gjeta edhe Hajdar Çopjen. E njihnim si elbasanlli.

I them Endritit, po ky. Sa ka ardhur, më tha, do e ndihmoj sa të gjejë një shtëpi.

Endriti kishte shumë njohje e lidhje në Holandë për trafikun e drogës. Të gjithë donin të punonin me të. Ai punonte me Anglinë, me Italinë, me Belgjikën. Të gjithë ia kishin nevojën.

Alibej: Endriti ishte 2 vjet më i madh se unë. Neve na la xhaxhai një biznes. Në moshën 16 vjeçare vëllai nisi emigrimin. Asnjëherë nuk ka punuar në punë të ligjshme.

Top Channel