
Mes lotëve, duartrokitjeve e luleve të bardha u përcoll për në banesën e fundit, Artan Lame, një figurë shumëdimensionale me kontribute jo vetëm në administratën shtetërore por edhe në fushën e historisë si studiues e koleksionist.
Në Akademinë e Shkencave, për dy orë u mbajtën homazhe për Artan Lamen, ku familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtor u mblodhën për ti dhënë lamtumirën e fundit.
Fjalimin e lamtumirës e mbajti, Artan Shkreli, i cili mes dhimbjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut të tij, e cilësoi si një njeri unik.
Artan Lame u nda nga jeta në moshën 58 vjeçare, vetëm pak ditë më parë, në një spital në Gjermani, ku pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër, nuk arriti t’ia dilte mbanë.
Artan Lame ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë karrierës së tij. Drejtoi për gjashtë vite, nga 2013-2019 Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale. Më pas, mbajti postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Top Channel