
Shqiptarët nuk i kanë shpëtuar përpjekjeve të ekzekutivit të ri gjerman për të shtuar nivelin e riatdheshimeve.
Media e njohur gjermane, Welt citon Günter Krings, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU, të ketë bërë thirrje për zgjerimin e fluturimeve të tilla, ndërkohë që avioni më i fundit me shqiptarë të refuzuar, u nis nga Hanoveri.
“Ky është më shumë se një simbol”, mësohet të ketë thënë Krings. “Këto fluturime duhet të intensifikohen. Ne kemi nevojë për më shumë fluturime të tilla kthimi dhe masa dëbimi, sepse ligji i azilit ka dy anë: Ne duam t’u japim mbrojtje atyre që kanë nevojë për të – por edhe të dëbojmë ata që nuk kanë realisht nevojë, ose që e kanë humbur këtë të drejtë pasi kanë kryer akte të dhunshme”, kanë qenë komentet e tij.
Zyrtari i larte shtoi se ne gjithashtu duam t`ua bëjmë të qartë njerëzve se ata që duhet dhe mund të largohen nga vendi, nuk ka përse të presin të njëjtin nivel mbështetjeje nga shteti gjerman”.
Krings mbështeti sakaq “sistemin e paraburgimit në pritje të dëbimit për kriminelët dhe uljen e përfitimeve për të gjithë ata që duhet dhe mund të largohen nga Gjermania.
Një avion i nisur nga aeroporti Hannover-Langenhagen të hënën drejt Prishtinës dhe Tiranës, thuhet se transportonte rreth 70 persona të dëbuar, përfshirë dhe të dënuar për krime të ndryshme.
Top Channel