
Sali Berisha ndërhyri sot për herë të parë në akuzat e forta që Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë së fundmi për Jorida Tabakun, më të votuarën e demokratëve në listën e hapur të Tiranës.
Kalaja e akuzonte Tabakun se ishte ndihmuar nga kryeministri Rama për të grumbulluar sa më shumë vota, për të poshtëruar kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Madje ajo e quante deputeten demokrate si “Suden” e PD-së.
I pyetur në konferencën e sotme për shtyp, kreu i demokratëve, tha se Adriana Kalaja nuk mund ta akuzojë pa fakte Tabakun.
“Zonja Kalaja është një luftëtare e vendosur, e guximshme që në 4 vite është përballur direkt me kryeministrin më shumë se kushdo tjetër. Në atë linjën e saj që beson se është avokate, linjën e drejtësisë dhe paditë. Zonja Kalaja dhe cilido tjetër qoftë në vlerësimin tim, nuk ka të drejtë pafakte të akuzojë ndonjë njeri. E treta, Sali Berisha është shprehur për këtë se zonja Tabaku ka bërë një nga fushatat më intensive siç kam konstatuar”, u shpreh Berisha.
Në përfundim të numërimit të votave të Diasporës në Tiranë, rezulton se Jorida Tabaku ka marrë 19046 duke u renditur e para në listën e hapur, ndërsa Adriana Kalaja është renditur e 19-ta nga 37 kandidatë me 2522 vota.
Por teksa tha se Adriana Kalaja nuk mund ta akuzojë Tabakun pa fakte, Berisha u shpreh se nuk do të pengojë asnjë kandidat që kërkon rinumërimin e votave.
“Çdo kandidat që ka pretendime, t’i verifikojë. Pavarësisht nga konsideratat që kam, mbroj parimet bazë. Ai që ka dyshime dhe t’i faktojë pa pasur asnjë pengesë në sigurimin e dokumentacionit. Janë disa nuk është vetëm zonja Kalaja. Nuk jemi parti tu themi mos hap kutitë, atë nuk e themi kurrë. Kërko të drejtën tënde, ky është parimi im”-u shpreh Berisha.
Kandidati i dytë i Tiranës, Ilir Alimehmeti dhe i dyti i Durrësit Aulon Kalaja kanë depozituar tashmë kërkesat e tyre në KQZ ku kërkojnë pamjet filmike të procesit të rinumërimit, për të verifikuar procesin.
Top Channel