Restauratorja e kostumeve tradicionale në Gjirokastër: Kujtesa kulturore nuk duhet të qëndrojë e varrosur në muze, por të vishet

25/05/2025 12:36

Në një nga rrugicat e kalldrëmta të pazarit historik të Gjirokastrës, ndodhet një punishte e vogël që ruan më shumë se sa duket nga jashtë.

Aty punon Eli Zhulati, restauratore tekstili, e cila prej dekadash i është përkushtuar ruajtjes dhe restaurimit të kostumeve tradicionale shqiptare. Me përkushtimin dhe dijet e saj të certifikuara në restaurimin e tekstilit muzeal, Eli ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e transformimeve që kanë përfshirë ceremonialet e dasmave shqiptare.

Dikur nusja nuk vishte fustanin e bardhë, por kostumin tradicional të zonës, që përgatitej ose nga shtëpia e babait, ose nga ajo e dhëndrit, në varësi të gjendjes ekonomike,” tregon ajo. “Në Gjirokastër thonë ‘në gusht nga një grusht’, që do të thotë se pajat përgatiteshin me muaj, qysh në kohën e fejesës.”

Ajo shton se nëna e vajzës mbante peshën më të madhe të përgatitjeve dhe mendohej mirë se çfarë do i jepej vajzës në pajë çka ishte një lloj sigurie për jetesën e saj në martesë.

Ka raste kur vijnë nëna që kërkojnë një palë çarçafë për pajën e vajzës. Kjo ndodh rrallë, por është shumë e bukur kur ndodh, sidomos kur ato vetë kanë ende të paprishura çarçafët e pajës së tyre,” shprehet më tej Eli Zhulati.

Eli thekson gjithashtu se shumë familje ende ruajnë elementë apo edhe kostume të plota të trashëguara brez pas brezi. Ajo ndien keqardhje për humbjet e pashmangshme nëpër vite, por e sheh me optimizëm interesin në rritje, sidomos nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Falë materialeve cilësore që tashmë janë të arritshme, arrijmë të bëjmë kostume që i afrohen shumë origjinalit, edhe pse nuk mund të përdorim më fije 100% flori si dikur. Zëvendësimi bëhet me materiale të ngjashme, si shajak dhe kadife, duke ruajtur sa më shumë autenticitetin.”, shpjegon më tej ajo.

Në një kohë kur shumëçka është bërë e përkohshme, kjo artizane është dëshmi se kujtesa kulturore nuk duhet të qëndrojë e varrosur në muze, por të vishet, të preket dhe të transmetohet me krenari  nga një brez në tjetrin.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta