
Kandidati i listës së hapur i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës që nuk arriti të siguronte një ulëse në kuvend, Myslym Murrizi tha se votuesit e tij do kenë përfaqësuesin e tyre në parlament më 10 shtator.
Murrizi në një status në Facebook shkroi se tashmë është i treti me vota në qark nga lista e PD dhe i katërti së bashku me Partinë e Lirisë. Ai tha se do ketë lëvizje të papritura. Me renditjen e tanishme, në mënyrë që Murrizi të futet në Parlament me 10 shtator, do të duhej që të largoheshin 3 deputetë që ai të përfitonte një ulëse në parlament.
Postimi i plotë:
Pas hedhjes në sistem të qendrës së votimit nr. 1531/00, që nuk ishte hedhur nga KQZ-ja, shkuam në 7289 vota, dhe numri 3 nga lista e PD-së, ose numri 4 me gjithë Partinë e Lirisë në listë.
Deri më 10 shtator do të ketë lëvizje të tjera të papritura, edhe pse Hajdari nuk e beson.
Kur kam deklaruar publikisht se shumë shpejt 7289 VOTUES TË LIRË do të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament, as kam hamendësuar dhe as kam fluturuar si shumë delirantë politikë, që ëndërronin se do t’i votonin QYTETARËT pse i mbështesnin pseudo-kryetarët që nuk kishin dhe nuk kanë asnjë peshë reale në degët e partisë, që vegjetojnë si demek “kryetarë”.
Dhe unë kam bërë fushatë vetëm me QYTETARËT, pa VD COLL dhe pa pirë kafe me asnjë “udhëheqës” me “paparacë” nga pas, që t’u përcillja strukturave mesazhin që “udhëheqësi” vdes për mua.
Ehhhhh, sa ujëra do të rrjedhin në këtë verë të “nxehtë”, sa do të habiten të gjithë HAJDARËT dhe HAJDARESHAT që mashtrojnë sikur dinë shumë e dinë çdo gjë.
PS: Meqë më mërzitën 6 FASLLI nga zonat Vorë, Kashar, Vaqar, Baldushk, e ndryshova emrin.
Ishalla nuk ka HAJDAR që do të mërzitet, haha.
Top Channel