
Pak pas vizitës së kryediplomates europiane, Kaja Kallas në Kosovë dhe thirrjeve të saj për uljen e tensioneve në veriun me shumicë serbe, një incident në Mitrovicën e Veriut dëshmoi se nuk është e lehtë të realizohet kjo në terren.
Incidenti i ndodhur të premten ka shkaktuar reagime të shumta. Sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një grup maturantësh nga komuniteti serb po festonte mbarimin e vitit shkollor me një paradë nëpër qendër të qytetit, kur një polic ndaloi njërin prej tyre për shkak se, siç thuhet, kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.
Që prej shtatorit të vitit të kaluar, në qendër të Mitrovicës së Veriut janë hapur disa biznese në pronësi të shqiptarëve të Kosovës, të cilat kryesisht bojkotohen nga banorë vendas serbë.
Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj ngjarjes duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.
Edhe nënkryetari i Listës Serbe, Ivan Zaporozhac, e ka dënuar ashpër atë që e përshkroi si “sulm fizik nga Policia e Kosovës ndaj një maturanti serb, çka përbën sipas tij një akt të qëllimshëm frikësimi të rinisë serbe.
Zaporozhac tha se i riu është ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik, duke shtrëngimin nga qafa, shtyrje dhe ofendime verbale, e kjo vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike.
Por ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, këmbënguli se polici ka vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.
Top Channel