
Një përqafim i pazakontë në skenën diplomatike mes presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe homologut të tij brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka simbolizuar afrimin e dukshëm mes dy vendeve, ndërsa Pekini forcon rolin e vet si lider i Jugut Global përballë ndikimit të SHBA-së dhe vendeve të G7-ës.
Gjatë një vizite në Kinë në fillim të muajit, Lula mori pjesë në Forumin Kinë-CELAC – një platformë bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve – ku ai mbajti një fjalim të fortë kundër tarifave amerikane dhe bëri thirrje për një rend global shumëpolar.
“Amerika Latine dëshiron të jetë boshti i një rendi ku Jugu Global përfaqësohet siç duhet”, deklaroi Lula. Mesazh ky që përkon me pozicionin që Kina përpiqet të projektojë prej vitesh: një alternativë ndaj rendit të dominuar nga Perëndimi dhe një aleate për vendet në zhvillim.
Xi e priti presidentin brazilian me nderime të larta në Sheshin Tiananmen, përfshirë një përshëndetje me 21 armë – një simbol i qartë i rëndësisë që Pekini i kushton këtij partneriteti. “Pavarësia dhe autonomia janë tradita jonë e lavdishme”, tha Xi në një fjalim në forum, duke e vendosur Kinën dhe Amerikën Latine në të njëjtën linjë strategjike.
Bashkëpunimi mes dy vendeve është konkretizuar përmes 20 marrëveshjeve, duke përfshirë tregtinë bujqësore, energjinë bërthamore dhe shkëmbimet valutore. Kina ka premtuar mbi 4.5 miliardë dollarë investime të reja në Brazil, ndërsa tregtia mes dy vendeve arriti një rekord prej 157.5 miliardë dollarësh në vitin 2023. Vetëm për sojën, Kina importoi mbi 70% nga Brazili vitin e kaluar, ndërsa importet nga SHBA kanë rënë ndjeshëm.
“Nëse varet nga qeveria ime, marrëdhënia jonë me Kinën do të jetë e pathyeshme”, tha Lula në një takim me liderë të biznesit në Pekin.
Ndërkohë, Kina e sheh Brazilin si një aktor kyç në ambicien e saj për të ndërtuar një sistem global të shumëpoleve. Pavarësisht se Brazili nuk ka nënshkruar iniciativën “Një brez, një rrugë”, ai mbetet vendi më me ndikim në rajon që Kina përpiqet të tërheqë në orbitën e saj ekonomike dhe diplomatike.
Partneriteti është thelluar edhe në çështje globale. Gjatë presidencës së përkohshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Brazili hartoi një rezolutë pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Në mënyrë surprizuese, Kina – e cila më herët kishte shmangur qëndrime të qarta – votoi në favor, pas diplomacisë intensive me Brazilin. Edhe pse rezoluta u bllokua nga vetoja amerikane, ajo tregoi afrim të mëtejshëm Pekin-Brazilia.
Dy vendet kanë lëshuar gjithashtu deklarata të përbashkëta për luftën në Ukrainë, duke shmangur dënimin e pushtimit rus, një tjetër tregues i përpjekjeve për të ofruar një alternativë ndaj diplomacisë perëndimore.
Lidhja mes Pekinit dhe Brazilit po forcohet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj përpiqen të frenojnë ndikimin kinez në hemisferën perëndimore. Por përballë retorikës proteksioniste të Donald Trump dhe tensioneve të zgjatura tregtare, partneritetet si ai me Brazilin i japin Kinës avantazh në ndërtimin e një rendi të ri global ku Jugu Global luan një rol qendror.
Top Channel