
Një 28-vjeçar është arrestuar në Fier, pasi kishte vjedhur katër biznese brenda një nate.
Sipas asaj që raporton policia, 28-vjeçari me inicialet Y. D., me precedent kriminal në fushën e vjedhjes si edhe i dënuar më parë për veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në kallëzimet e disa qytetarëve, për vjedhje në subjektet e tyre tregtare gjatë natës së datës 19 maj 2025, kanë organizuar punën për zbardhjen e tyre, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i një pune profesionale hetimore të kryer, pas provave të siguruara dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Four”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi Y. D., 28 vjeç, banues në Radostinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, ka vjedhur me thyerje, në 4 subjekte tregtare në qytetin e Fierit, shuma parash dhe 2 aparate celularë.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel