
Në një prej fshatrave më piktoreskë të jugut, “Andon Poçi” i Gjirokastrës, u celebrua dita ndërkombëtare e vllahëve përmes festivalit “Kënga Vllahe”, një ngjarje që solli në vëmendje trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore të komunitetit vllah , një pasuri e gjallë që sfidon harresën dhe kohën.
Anëtarë të komunitetit vllah nga e gjithë Shqipëria, nga Kavaja, Tirana, Korça, Dibra, Elbasani e më gjerë mbërritën në Jug me veshjet e tyre tradicionale, këngët e trashëguara dhe historitë e gjyshërve që nuk flisnin shqip dikur, për të mos harruar rrënjët.
Leonora Mane nga Kavaja kishte veshur pikërisht kostumin tradicional të gjyshes së saj.
E emocionuar, ajo rrëfeu: “Gjyshja ime nuk fliste shqip, jo për përjashtim, por për të ruajtur identitetin tonë. Sot, ajo që më dhimbset më shumë është gjuha , është një gjuhë me bazë latine, e kërcënuar nga asimilimi, dhe shumë e vështirë për ta shkruar. Por ne nuk duhet ta lëmë të humbasë.”
Thoma Puriqi njëri prej organizatorëve shprehu kënaqësinë që një ngjarje kaq domethënëse po zhvillohej pikërisht në “Andon Poçi”.
“Sot hapim simbolikisht një ditë që u vendos për herë të parë 120 vite më parë ,Dita Ndërkombëtare e Vllahëve , dhe jemi të lumtur që po e organizojmë. Të ardhurit nga të gjitha rrethet ku jetojnë vllehët kanë sjellë grupet e tyre tradicionale, me këngë që janë gati një mijë vjeçare, veshje dhe kulturë që flasin për lashtësinë tonë,” u shpreh ai.
Top Channel