
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Sudanit, duke e akuzuar për përdorim të armëve kimike gjatë luftës civile kundër forcave RSF, një grup i fuqishëm ushtarak jo zyrtar që po lufton kundër ushtrisë së Sudanit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, eksportet drejt Sudanit do të kufizohen dhe do të vendosen kufizime në huamarrje, duke nisur nga 6 qershori.
Edhe pse nuk u dhanë detaje mbi llojin e armëve kimike, New York Times kishte raportuar më herët për përdorim të gazit klor në dy raste. Sudani ndërkohë është pjesë e Konventës për Armët Kimike, që ndalon përdorimin e tyre.
Konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe RSF ka shkaktuar mbi 150,000 viktima dhe ka detyruar rreth 12 milionë persona të largohen nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë, 25 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore.
SHBA ka vendosur më parë sanksione ndaj liderëve kryesorë të konfliktit, përfshirë gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan dhe komandantin e RSF, Hemedti. Kjo lëvizje e re po shihet edhe në kontekst të tensioneve me Emiratet e Bashkuara Arabe, të akuzuara nga Sudani për furnizim me armë të RSF-së – pretendim që Emiratet e mohojnë.
Një burim diplomatik sudanez ka deklaruar për Reuters se sanksionet janë një përpjekje për të shmangur kritikat ndaj rolit të Emirateve në këtë konflikt.
Top Channel