
Mbrëmjen e 22 majit, kalaja e Gjirokastrës u kthye në një skenë të gjallë, me fillimin e edicionit të pestë të festivalit të muzikës klasike “GjiroClassica”.
Këtë vit, festivali i është kushtuar të rinjve. Një vendim i qëllimshëm për të vënë në qendër artistët në ngritje, ata që kanë ndërtuar tashmë një identitet profesional, por që kërkojnë ende hapësira për tu dëgjuar, për tu parë e për tu rritur.
Ylli Haliti ishte një prej tyre. 18 vjeç, nga Mitrovica, ai u ngjit për herë të parë në skenën e këtij festivali.
“Është hera e parë që performoj në Gjirokastër, por kam qenë më parë si turist. Sot jam ndjerë shumë mirë në skenën e festivalit , salla ishte shumë e bukur, te Kalaja e Gjirokastrës. Pianoja më ngjalli një ndjesi shumë të lirë dhe ishte akorduar pak para performancës, çka ishte ndihmesë shumë e madhe për performuesin. Publiku ishte fantastik dhe ndjenjat ,të papërshkrueshme.”
Mbrëmja e parë shënoi jo vetëm fillimin e një jave koncertesh dhe garash, por edhe të një atmosfere që synon t’i sjellë qytetit një energji të re kulturore. Njëra prej organizatoreve të festivalit, pianistja Mimoza Çabeli, u shpreh me entuziazëm për vazhdimësinë.
“Ishte një mbrëmje fantastike. Do të ketë në vazhdimësi të tilla mbrëmje. Në datë 24 do të jetë një aktivitet shumë i bukur në qytetin e Gjirokastrës , një koncert shëtitës në shtëpi karakteristike si tek Kadare, muzeu etnografik, tek Skëndulatët, tek mesi i Pazarit.”
Në skenën e “GjiroClassica”-s do të ngjiten këtë vit disa dhjetëra artistë të moshave dhe kombësive të ndryshme, duke e kthyer Gjirokastrën jo vetëm në një pikë takimi për interpretuesit, por edhe në një hapësirë të rëndësishme të dialogut kulturor.
Gradualisht, festivali po bëhet pjesë e natyrshme e jetës artistike të qytetit, jo vetëm sepse i shkon hijeshisë arkitektonike dhe frymës historike të Gjirokastrës, por sepse po kultivon një marrëdhënie të qëndrueshme me publikun.
Top Channel