
Irani dhe Shtetet e Bashkuara pritet të fillojnë raundin e pestë të bisedimeve bërthamore këtë të premte në Romë, në një klimë të rritur tensioni dhe mosbesimi, ndërsa Teherani shpreh skepticizëm të thelluar për një marrëveshje të mundshme.
Dy burime iraniane i thanë CNN-së se shanset për përparim janë të ulëta, pasi Uashingtoni këmbëngul që Irani të ndalojë tërësisht pasurimin e uraniumit – një kërkesë që zyrtarët iranianë e konsiderojnë të papranueshme dhe të rrezikshme për fatin e negociatave.
Sipas burimeve, pjesëmarrja e Iranit në bisedimet e Romës është më shumë për të testuar qëndrimin aktual amerikan sesa për të synuar një marrëveshje të re.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, përpara nisjes për në Romë, theksoi vijat e kuqe të Teheranit:
“Të gjesh rrugën drejt një marrëveshjeje nuk është shkencë raketash. Zero armë bërthamore = kemi një marrëveshje. Zero pasurim = nuk kemi marrëveshje,” shkroi ai në rrjetin X.
Nga ana tjetër, negociatori kryesor amerikan, Steve Witkoff, deklaroi se aktivitetet e pasurimit të uraniumit përbëjnë rrezik për armatosje dhe duhet të ndërpriten në mënyrë të plotë. Uashingtoni ka ofruar lehtësim të sanksioneve në këmbim të denuklearizimit të plotë, ndërkohë që ka ashpërsuar pozicionin e vet, duke përjashtuar mundësinë e pasurimit të lejuar në Iran.
Kjo qasje më e ashpër ka ngjallur shqetësim në Teheran. Burime iraniane thanë se qarqet politikëbërëse në Iran ndjejnë se SHBA-të nuk janë të sinqerta në përpjekjet për marrëveshje, por po e përdorin procesin për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj vendit.
“Kur SHBA-të këmbëngulin në një kërkesë që e dinë se Irani nuk mund ta pranojë, atëherë ata nuk janë realisht të interesuar për një marrëveshje,” thanë burimet. Sipas tyre, fillimisht ka pasur shpresë për një kompromis të balancuar, por tani mendohet se administrata Trump po çon bisedimet drejt një bllokimi të qëllimshëm.
Ndërsa asnjëra palë nuk dëshiron të largohet nga tryeza e negociatave, burimet iraniane sugjeruan se takimet mund të bëhen të pavlefshme nëse nuk ka përparim konkret. Ata gjithashtu akuzuan SHBA-në për ndjekje të linjës së ashpër izraelite, duke e cilësuar këtë si një tjetër tregues të mungesës së vullnetit për marrëveshje.
Delegacioni iranian në Romë pritet të vlerësojë nëse ka ndonjë ndryshim në qasjen amerikane dhe paralajmëron se, në mungesë të lëshimeve reale, Irani mund të ndërmarrë një qëndrim edhe më të ashpër.
Top Channel