
Nuk ka ende tym të bardhë për parlamentin në Prishtinë: Konstituimi i Kuvendit të Kosovës dështoi sërish, e 20-ta herë me radhë që ndodh një gjë e tillë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi që subjektet politike të propozonin nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, e megjithatë, as këtë radhë nuk pati pajtim në sallë.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48-orësh. As apelet në Prishtinë të kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas që partitë parlamentare të bashkëpunojnë për zhbllokimin e ngërçit politik, duket se nuk sollën asnjë ndryshim.
Në vesh të shurdhër kanë rënë po kështu edhe thirrjet e disa organizatave të shoqërisë civile, të cilat i kërkuan “të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës”.
Arsyetimi i tyre ishte mjaft i qartë: Kriza institucionale me bllokimin e konstituimit të Kuvendit ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm parlamentin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit”.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e tij.
E konsideruar një figurë përçarëse nga disa parti opozitare, kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga deputetët në asnjë prej 16 seancave të mbajtura deri më tani, e megjithatë, Kurti ka vazhduar të paraqesë emrin e saj, pavarësisht faktit qe PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozicion.
Top Channel