
Një shtetas, që dyshohet se është përfshirë në blerje votash në 11 maj, është vënë në pranga.
Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Policia sekuestroi edhe portofolin e tij, brenda të cilit ishin 280 000 lekë si dhe një pushkë e vjetër trofe e një pistoletë sportive, që i mbante në shtëpi.
Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Rasti u denoncua një ditë më parë nga kryedemokrati Sali Berisha, që tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’.
“Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni”, tha Berisha, teksa publikoi foto nga materialet e gjetura në lokalin e Beqirit, të cilin kryedemokrati e akuzoi si “patronazhist të PS-së”.
Top Channel