
Videoja e parë e momentit të shpërthimit të nëndetëses Titan, që i mori jetën pesë personave gjatë një zhytjeje fatale drejt rrënojave të Titanikut në qershor 2023, është publikuar nga BBC.
Pamjet tronditëse, të kapura nga anija mbështetëse e ekspeditës, tregojnë momentin kur ndodhi dështimi katastrofik i nëndetëses së kompanisë OceanGate.
Në videon e publikuar nga BBC shfaqet Wendy Rush – gruaja e CEO-së së ndjerë të OceanGate, Stockton Rush – duke monitoruar komunikimet me nëndetësen. Një zhurmë e thellë metalike, e papritur dhe alarmante, dëgjohet në sfond. E befasuar dhe e frikësuar, Wendy ngrin për një moment dhe pyet: “Çfarë ishte ajo zhurmë?”
Menjëherë pas kësaj, ekipi merr një mesazh nga nëndetësja që thotë: “hodhi dy pesha” – një sinjal i zakonshëm për kontrollin e zhytjes, por që fatkeqësisht ishte mesazhi i fundit i Titanit.
Zbulime të reja përpara publikimit të raportit përfundimtar
Pamjet janë pjesë e një dokumentari të ri të BBC-së, i cili hedh dritë mbi rrethanat e tragjedisë dhe gabimet teknike që i paraprinë saj. Dokumentari zbulon se trupi prej fibre karboni i nëndetëses kishte shfaqur shenja dëmtimi që në vitin 2022 – një vit përpara fatkeqësisë.
Sipas hetimeve të Rojës Bregdetare të SHBA-së (USCG), dëmtimet e strukturës së anijes kishin nisur gjatë zhytjes së 80-të. “Delaminimi në zhytjen 80 ishte fillimi i fundit,” tha toger komandantja Katie Williams nga USCG, duke shtuar se pas kësaj, çdo udhëtim me Titanin ishte një rrezik i madh.
Paralajmërimet që u injoruan
Ekspertët kishin ngritur alarmin më parë. Victor Vescovo, një eksplorues i njohur i detit të thellë, kishte paralajmëruar drejtuesit e OceanGate se dështimi ishte “thjesht çështje kohe”. Ish-punonjës të kompanisë kishin quajtur nëndetësen “të rrezikshme” dhe “të ndërtuar në mënyrë të papërgjegjshme”.
Mbetjet e nëndetëses u gjetën më vonë në fundin e Oqeanit Atlantik, bashkë me objekte personale si rroba, karta biznesi dhe afishe. Autoritetet konfirmuan se midis mbetjeve u identifikuan edhe “mace të supozuara njerëzore”, të përputhshme me viktimat: CEO Stockton Rush, eksploruesi britanik Hamish Harding, eksperti francez i Titanikut Paul-Henri Nargeolet, dhe biznesmeni Shahzada Dawood me djalin e tij Suleman.
Pasojat ligjore nisin: paditë pas tragjedisë
Ndërkohë që USCG pritet të publikojë raportin përfundimtar më vonë gjatë vitit, pasojat ligjore kanë filluar. Trashëgimtarja miliardere nga Hong Kongu, Karen Lo, ka ngritur një padi prej 1 milion paundësh ndaj OceanGate, pasi udhëtimi i saj me nëndetësen u anulua pas një incidenti në 2018 dhe nuk u realizua kurrë, edhe pse kishte paguar 680,000 paund.
Christine Dawood, e veja e Shahzada Dawood dhe nëna e Sulemanit, tha për BBC se humbja e dy më të dashurve të saj e kishte ndryshuar përjetë: “Nuk mendoj se dikush që kalon një humbje dhe traumë të tillë mund të jetë ndonjëherë i njëjtë.”
Top Channel