
Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve do të takohen në Parlamentin e vjetër të enjten.
Sali Berisha la të kuptohet se takimi i parë pas ndeshjes politike te 11 majit me socialistët nuk do jetë i qetë.
“Qëndresë, qëndresë, qëndresë ndaj shtetit elektoral kriminal. Ndaj narkoshtetit shqiptar dhe përpjekje për të realizuar votën e lirë të shqiptarëve.Të gjitha format. Se çfarë sjell dita, do ta shihni, por e vërteta është se lufta jonë nuk ndërpritet gjer në ditën e zgjedhjeve të lira në Shqipëri”.
Parlamenti i ri pritet të mblidhet në vjeshtë. Sali Berisha nuk e njeh legjitimin e mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e 11 majit, por ende nuk e ka një përgjigje nëse do i pranojë 50 mandatet.
“Të gjitha do vendosen nga forumet. Por unë, në presupozimin e pjesëmarrjes në parlament, deklarova që ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky ka qenë. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim. Unë thashë se në qoftë se do marrim, por unë thashë se në rast se marrim, ne do votojmë vetëm këto. Se atë nuk e vendos unë, atë e vendosin forumet. Do ketë diskutime”.
Kryedemokrati nuk i njeh përgjegjësi as vetes dhe as të tijëve për disfatën e disfatën e 11 majit. Këmbëngul se mazhoranca bleu zgjedhjet me bandat ndaj dhe kërkon zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike.
“Kërkojmë zgjedhje të parakohshme dhe vetëm të parakohshme. Kërkojmë qeveri teknike me agjendë të përcaktuar, problemet që lidhen me procesin e integrimit dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do të luftojmë me të gjithë mbështetësit tanë dhe me miqtë tanë në Europë dhe botë”.
Top Channel