Nga Alda Bardhyli

Letërsia shqipe, me gjithë peshën e saj historike, pasurinë gjuhësore dhe larminë tematike, ende nuk ka zënë vendin që meriton në hartën letrare botërore. Dhe kjo, jo për mungesë cilësie, por për mungesë mundësie që zëri i saj të dëgjohet në gjuhë të tjera.

Përmes një programi të veçantë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbështet cdo vit 6 autorë shqiptarë të botohen në gjuhë të tjera. Përgjatë këtyre vite më shumë se 20 vepra të letërsisë shqipe janë përkthyer kryesisht në gjuhët e rajonit. Duke e parë komunikimin mes kulturave si tepër të rëndësishëm, ky program është një mundësi për ti dhënë zë vlerave të ndryshme të letërsisë sonë, për të promovuar identitetin kulturor shqiptar. Gjuhët ku veprat shqiptare janë botuar përmes këtij programi janë kryesisht të rajonit, duke nxjerrë në pah një sërë pengesash që shqipja ka me gjuhë që dominojnë sot tregun e librit, nga mungesa e përkthyesve të mirfilltë.
Në një botë ku globalizimi rrezikon të sheshojë veçantitë, është e rëndësishme që kombi ynë të përfaqësohet me zërin e vet unik. Përmes përkthimeve, lexuesi i huaj mëson për mitet, legjendat, vuajtjet, ëndrrat dhe realitetin shqiptar – qoftë ashtu si mësoi përmes Kadaresë, Kongolit, apo autorëve të rinj që përçojnë një perspektivë moderne.

Letërsia ndërton mirëkuptim mes kombeve me aftësinë për të thyer paragjykime. Ajo e afron “tjetrin” me përjetimet njerëzore që janë të përbashkëta: dashuria, humbja, liria, migrimi, lufta.
Kur një i huaj lexon një roman shqiptar të përkthyer me mjeshtëri, ai nuk sheh më thjesht një vend të panjohur në hartë, por njeh njerëzimin e përbashkët.

Ky program kërkon tu krijojë mundësi autorëve shqiptarë, por dhe të ndërtojë një urë komunikimi mes institucionit dhe botuesve të huaj. Një letërsi që qëndron vetëm brenda kufijve të vet është si një lumë që nuk derdhet askund. Përkthimi krijon rrugë për njohje ndërkombëtare, çmime letrare, pjesëmarrje në panaire botërore dhe dialog kulturor. Ai e bën letërsinë tonë jo vetëm të dëgjueshme, por edhe konkuruese duke e sjellë Shqipërinë më afër botës si ambasadorja më e butë dhe më efektive që një komb ka. Ajo i flet botës përmes historive, pa pasur nevojë për fjalime zyrtare. Dhe në këtë epokë, ku turizmi kulturor po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, një roman i përkthyer mund të zgjojë interesin për të vizituar, për të kuptuar, për të ndërvepruar me një vend dhe njerëzit e tij.

Pra, përkthimi i letërsisë shqipe është një nevojë kulturore dhe kombëtare. Është detyrë e institucioneve, por edhe e shoqërisë, të investojnë në përkthyes cilësorë, në botime dinjitoze dhe në promovim serioz. Sepse vetëm në këtë mënyrë letërsia jonë mund te vazhdoje të dalë nga izolimi, të marrë frymë lirshëm dhe të bëhet pjesë e dialogut botëror.

Përkthimi i mirë kërkon njohje të thellë të gjuhës, kulturës dhe stilit letrar. Duhet të investohet në edukimin dhe trajnimin e përkthyesve që përkthejnë nga shqipja në gjuhë të tjera (anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj.), duke krijuar edhe çmime apo grante për të motivuar punën e tyre. Jo çdo libër përkthehet me sukses. Duhet një strategji për të përzgjedhur vepra me vlera universale, që flasin për tema që interesojnë botën, por që ruajnë thelbin shqiptar. Kjo vlen si për klasikët (si Fishta, Migjeni, Kadare), ashtu edhe për autorët e rinj. Shtetet me kulturë të fortë përkthimi shpesh kanë marrëveshje bashkëpunimi me shtëpi botuese të huaja. Shqipëria mund të nxisë marrëveshje për bashkëbotime, ku kostot ndahen dhe promovimi bëhet në dy tregje njëkohësisht. Panairet si ai i Frankfurtit, Parisit, Londrës apo Bolonjës janë mundësi për të paraqitur letërsinë tonë. Një stendë shqiptare, me libra të përkthyer, me prezencë të autorëve dhe përkthyesve, është një derë e hapur drejt botës.
Shumë lexues ndërkombëtarë sot zbulojnë libra përmes rrjeteve si Instagram, Goodreads apo blogje letrare. Përkthimet mund të shoqërohen me fushata të vogla online, ku të rinjtë ndajnë citate, përshtypje apo edhe përmbledhje të veprave shqiptare në gjuhë të huaj.

Shqiptarët që jetojnë jashtë mund të jenë ura kulturore. Shumë prej tyre janë përkthyes, studiues apo lexues të pasionuar që mund të ndihmojnë në përhapjen e librave të përkthyer dhe organizimin e eventeve letrare në vendet ku jetojnë.

Edhe vetë autorët shqiptarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përkthimin dhe përhapjen e veprës së tyre jashtë vendit, duke mos pritur gjithmonë mbështetje nga institucionet.
Përkthimi është një akt kulturor dhe strategjik. Ai nuk përçon vetëm fjalë, por ndjenja, histori dhe identitet. Dhe sa më shumë ta bëjmë këtë me kujdes, aq më shumë do t’i japim botës një pasqyrë të vërtetë dhe të bukur të kulturës shqiptare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta