
“Topazi” ishte shfaqja që në majin e vitit 1945, inauguroi Teatrin Popullor.
80 vite më pas, Teatri Kombëtar kujton qindra artistët që i dhanë jetë këtij institucioni të rëndësishëm të artit e kulturës në vend. Breza të tërë aktorësh, regjisorësh, dramaturgësh e skenografësh sollën në skenë vepra të mëdha të teatrit botëror dhe krijime autentike shqiptare.
“Dita e parë e punës në Teatrin Popullor ishte impresionuese për mua. Ishte mbledhja e trupës artistike, pashë të hynin në atë studio figura si Piro Mani, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi, Roza Anagnosti, emra që konfirmojnë kombëtaren në teatër. U ndjeva e privilegjuar dhe kjo ndjesi më shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit tim profesional“, kujtoi aktorja Luiza Xhuvani.
“Teatri për ata ishte tempull dhe për mua vazhdon të jetë tempull. Teatri është mision, është frymë, është ndërveprim, është ndërgjegjësim. Është vetëdije. Në teatër ke mundësi të njohësh të gjithë botën por mbi të gjitha ke mundësi të njohësh vetveten“, u shpreh aktorja Yllka Mujo.
Ky vit jubile e gjen Teatrin Kombëtar pa një godinë të vetën, ndërsa vetë artistët tregojnë problematikat, me të cilat përballet ky institucion.
“Duhet t’i rikthehet vëmendja shtetit me elementin kryesor regjisurën, se pa regjisurë nuk ka teatër. Me regjisorë të mirë, avancojnë dhe aktorë të mirë. Ata që dalin nga 3-vjeçari u regjisurës, duhet patjetër 2-vjeçarin tjetër ta bëjnë në shkolla të nivelit të parë europian apo edhe në Lindje. Kjo do ta rrisë nivelin e Teatrit në vepra më të mëdha që duhet të kërkohen për t’u vënë në skenë“, vuri në dukje aktori Ndriçim Xhepa.
Krahas zhvillimeve teknologjike, teatrit i duhet të gjejë mënyra të reja për të qenë pranë artdashësve.
“Teatri mbetet ndoshta hapësira e vetme ku njerëzit mund t’i ndajnë idetë e tyre duke u parë, duke e dëgjuar njëri tjetrin live. Sot aktorët kanë sfidë me kohën të cilës i përkasin, në një zhurmë informative, ata duhet të gjejmë rrugë të reja se si të depërtojnë te audienca“, tha drejtori i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani.
“Në dinamikën që ka jeta e një artisti, në rëndësinë që ka liria e tij, njëkohësisht të kemi respekt ndaj meritokracisë, duhet të garantojmë statusin e artistit. Kjo është një nga themelet për të cilën duhet të punojmë“, u shpreh ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe.
Ceremonia e 80-vjetorit të u mbajt në ambientet e Arturbinës në praninë e trupës së Teatrit Kombëtar dhe artistëve të shumtë.
Top Channel