Ylli i “Creed” dhe “Black Panther” fiton çmimin e 39-të të Institutit amerikan të filmit

22/05/2025 10:56

Michael B. Jordan, një nga artistët më me ndikim dhe më të gjithanshëm të Hollivudit, do të marrë Çmimin e 39-të të Institutit Amerikan të Filmit në një ceremoni madhështore që do të mbahet më 20 nëntor në Beverly Hilton.

Lajmi vjen mes suksesit të madh të filmit “Mëkatarët” nga Warner Bros, një thriller me vampirë që shënon bashkëpunimin e pestë midis aktorit Michael B. Jordan dhe regjisorit Ryan Coogler. Dyshja kishte debutuar me sukses në vitin 2013 në Festivalin e Filmit Sundance me filmin “Fruitvale Station”.

Pas suksesit të “Sinners”, i cili ka arkëtuar tashmë 319 milionë dollarë në kinematë botërore, Jordan do ta përqendrojë vëmendjen te projekti i tij i ardhshëm madhor: “The Thomas Crown Affair”. Filmi është një prodhim i Outlier Society për Amazon MGM Studios, ku aktori do të ketë një rol të trefishtë – si regjisor, producent dhe aktor kryesor – sipas raportimit të Deadline.

“Karriera e Michael B. Jordan është një demonstrim i pakrahasueshëm i kombinimit të talentit të jashtëzakonshëm dhe vizionit të fokusuar, që e ka bërë atë një forcë të rëndësishme në industrinë e filmit”, tha Rick Nishita, Kryetar i Bordit të Institutit Amerikan të Filmit. “Ai hyri në radhët e yjeve me ‘Fruitvale Station’ dhe më pas vazhdoi me role ikonike në ‘Black Panther’ dhe në të tre filmat ‘Creed’, përfshirë edhe debutimin e tij si regjisor në ‘Creed III’. Pa dyshim, përpjekje të tjera regjisoriale do të pasojnë.”

Arkivi Amerikan i Filmit, i themeluar në vitin 1981 si një organizatë kulturore e pavarur dhe jofitimprurëse, ka për mision ruajtjen dhe promovimin e artit të kinemasë në të gjitha format e tij. Çmimi i nderit, i themeluar në vitin 1986, iu dha vitin e kaluar aktores Jessica Chastain. Në listën e mëparshme të yjeve të nderuar përfshihen emra të mëdhenj si Denzel Washington, Nicole Kidman, Al Pacino, George Clooney, Julia Roberts, Samuel L. Jackson, Charlize Theron, Ryan Reynolds dhe Helen Mirren.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta